Së shpejti konkursi për policë të rinj, ekspertët: Policia ka nevojë për kuadro të reja

28.09.2021

Policia e Kosovës (PK) ka theksuar se qëllimi i organizimit të kësaj kampanje informuese është për të inkurajuar qytetarët për të aplikuar në konkursin për zyrtarë policorë, konkurs ky i cili pritet të shpallet së shpejti. Xhelal Sveçla, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka thënë për KosovaPress se numri i saktë i […]

Policia e Kosovës (PK) ka theksuar se qëllimi i organizimit të kësaj kampanje informuese është për të inkurajuar qytetarët për të aplikuar në konkursin për zyrtarë policorë, konkurs ky i cili pritet të shpallet së shpejti.

Xhelal Sveçla, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka thënë për KosovaPress se numri i saktë i policëve që do të reduktohen ende nuk është bërë e ditur, duke shtuar se është çështje javësh, mos të them ditësh që konkursi i ri do të bëhet publik.

Po ashtu, Sveçla ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht që të rrisin numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, kjo për shkak të angazhimeve të shumta, por edhe si prioritet numër 1 i qeverisë aktuale, i cili është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai ka thënë se ky prioritet kërkon angazhim të shtuar të pjesëtarëve të PK-së dhe segmenteve tjera të sigurisë.

Gjithashtu, ministri Sveçla ka bërë të ditur se shifrat përfundimtare ende nuk janë caktuar, por bëhet fjalë për një rritje diku midis 2-3 përqind të forcës të Policisë së Kosovës.

Një gjë të tillë po e mbështesin edhe njohës të çështjeve të sigurisë, sipas të cilëve për shkak të moshës së vjetër në Policinë e Kosovës, ka nevojë për rekrutimin e gjeneratave të reja.

Kështu eksperti i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se nevoja për gjenerata të reja në Policinë e Kosovës vjen pikërisht për shkak të moshës së shtyrë në këtë institucion. Teksa thekson se nuk ka nevojë për shtim të numrit të policëve, porse për rekrutim të vazhdueshëm të pjesëtarëve të ri.

Edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj e sheh me vend rekrutimin e policëve të ri, pasi thotë se gjeneratat e reja i japin dinamikë punës së policisë.

Ndryshe, sa i përket fushatës vetdijësuese “Informata të nevojshme për procesin e Aplikimit për punësim në Policinë e Kosovës” , stacioni policor në Suharekë të mërkurën organizon takim me qytetarë.

Sipas njoftimit për media të stacionit policor në Suharekë, takimi do të mbahet të mërkurën (29.09.2021) në ora 17:30 te amfiteatri në oborrin e Gjimnazit “Jeta e Re”.

Takimi do të organizohet me qytetarë të rinj nga mosha 18-30 vjeç lidhur me fushatën vetdijësuese “Informata të nevojshme për procesin e Aplikimit për punësim në Policinë e Kosovës”, me theks të veçantë femrat dhe komunitetit pakicë.

Ndryshe veçori e banorëve të komunës së Suharekës është se ka një popullsi shumë të re e që është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm ekonomik e shoqëror.

Struktura gjinore e popullsisë është pothuajse e barabartë 50 (F) dhe 50 (M).  Struktura etnike-Komuna e Suharekës kryesisht ka qenë e banuar me popullsi shqiptare ndërsa minoritetet e tjera kanë pasur pjesëmarrje shumë të ulët, gjë që vazhdimisht ka shkuar duke u zvogëluar. Vlerësohet se rreth 95 % janë shqiptarë dhe 4.2 % komunitete tjera.