SBAShK-u vazhdon të kërkojë rritjen e pagave për mësimdhënësit

06.02.2022

Ndryshe nga deklarimet e zëvendës ministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci që ditë më parë tha se ligji nuk do të thoshte rritje automatike të pagave, në SBASHK thonë se nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre. Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka deklaruar se pritshmëritë e tyre është se mësimdhënësit të jenë ndër më të paguarit […]

SBAShK-u vazhdon të kërkojë rritjen e pagave për mësimdhënësit Foto: Ilustrim

Ndryshe nga deklarimet e zëvendës ministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci që ditë më parë tha se ligji nuk do të thoshte rritje automatike të pagave, në SBASHK thonë se nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka deklaruar se pritshmëritë e tyre është se mësimdhënësit të jenë ndër më të paguarit në mesin e punëtorëve të administratës shtetërore.

”Ne presim në këtë ligj të pagave që është duke u punuar, natyrisht që do të ketë edhe ngritje të pagave ngase tani nuk mund t’i qasemi ligjit të mëparshëm, pasi që Kushtetuesja e ka anuluar atë ligj.

Dhe projektligji i ri të pagave do të kërkojmë që punëtorët e arsimit duke filluar nga çerdhet e deri në universitet, të jenë të ranguar me koeficiente diku nga mesi i të gjithë koeficienteve të mundshëm që do të jenë në këtë projektligj të pagave, dhe natyrisht kërkesë e jona është që me ligjin e ri të pagave të ketë edhe ngritje të pagave për të gjithë punëtorët e arsimit, duke filluar nga çerdhet e deri në universitet”, ka thënë ajo për KosovaPress.

Duke komentuar deklaratat e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci, nënkryetarja e SBASHK-ut ka thënë se nëse nuk do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit atëherë do të vendoset se çfarë veprimesh sindikale do të merren nga ta pa përjashtuar grevat e përgjithshme.

Sindikatat i kanë dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri në muajin mars për draftin e projektligjit të pagave, mirëpo SBASHK ka caktuar datën se kur do të marrin veprimet nëse i njëjti nuk parasheh plotësimin e kërkesave të tyre.

”Më 2 prill, meqë është kongresi i SBASHK-ut, aty delegatët që janë pjesëmarrës në kongres ata janë përfaqësues të të gjitha komunave të Kosovës, ata do të vendosin për veprimet e mëtutjeshme sindikale, e në rastin më të keq edhe me grevë të përgjithshme”, shtoi ajo./KP/