SBAShK-u: Jemi të gatshëm për vitin e ri shkollor
Rritja enorme e rasteve të infektimeve me COVID-19 si dhe rritjes së numrit të rasteve të vdekjs nga ky virus, ka bërë që Qeveria e Kosovës të ndërmerrë disa masa për luftimin, kontrollin dhe parandalimin e COVID-19. Këto masa të cilat do të jenë në fuqi deri më 13 shtator, është paraparë edhe shtyrja e […]
Rritja enorme e rasteve të infektimeve me COVID-19 si dhe rritjes së numrit të rasteve të vdekjs nga ky virus, ka bërë që Qeveria e Kosovës të ndërmerrë disa masa për luftimin, kontrollin dhe parandalimin e COVID-19.
Këto masa të cilat do të jenë në fuqi deri më 13 shtator, është paraparë edhe shtyrja e fillimit të procesit mësimor deri me këtë datë.
Ndërsa, nga data 13 shtator kur edhe pritet të fillojë viti i ri shkollor, të gjithë mësimdhënësit të cilët nuk janë vaksinuar kundër COVID-19, duhet të paraqesin testin negativ për këtë virus.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka theksuar se rreth 90 për qind (%) e personelit arsimor janë vaksinuar.
Po ashtu, Jasharaj ka shtuar se procesi i vaksinimit është duke shkuar mirë, derisa presin takim me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci me ç’rast do të diskutohen këto tema.
Varianti Delta i COVID-19 që po mbizotëron javëve të fundit në vendin tonë po prek në numër të madh edhe fëmijët.
Megjithatë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës mirëpret çfarëdo lloj vendimi që vjen nga Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), edhe nëse vendoset që mësimi me 13 shtator të fillojë me ndonjë version tjetër.
“Ne do të respektojmë çdo vendim, që sjellë IKShPK, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, nëse ata e shohin të udhës që duhet të bëjnë ndonjë veprim të tillë ne do ta përkrahim apo nëse ata dalin që me 13 shtator dalin me ndonjë version tjetër të mësimit, mësimdhënësit do të jenë të gatshëm edhe për këto versione dhe kanë gatishmëri që të fillojnë vitin e ri shkollor”.