Sarrazin: Kosova nuk mund ta bllokojë tregun e përbashkët rajonal

para 23 dite

Në një intervistë për RTK-në, emisar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka bërë një analizë të thellë mbi situatën aktuale dhe sfidat që po përballet Kosova në kontekstin e Samitit të Berlinit dhe të ardhmes së Procesit të Berlinit.

Sarrazin: Kosova nuk mund ta bllokojë tregun e përbashkët rajonal Foto: Ilustrim

Sarrazin theksoi se Kosova ndodhet në një kryqëzim të rëndësishëm dhe se marrëveshjet e mundshme do të kenë ndikime të thella mbi integrimin rajonal dhe përfitimet për qytetarët e Kosovës.

Sarrazin shpjegoi se Gjermania ka ofruar një mundësi të rëndësishme për Kosovën, duke propozuar një zgjidhje që do të mundësojë që Kosova të përfaqësohet vet në organet e CEFTA-s dhe të sigurojë një treg rajonal të përbashkët.

“Ne i kemi hapur veshët për Kosovën. Pra, është një hap i ri drejt njohjes. E ofrojmë një zgjidhje që e bën të mundur për Kosovën që të përfaqësohet vet në organet e CEFTA-s dhe për të siguruar një treg rajonal të përbashkët, ashtu që CEFTA të zgjerohet që të përfitojë popullata në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjëra konkrete si ato gjitha lejet e punës që pranohen në BE, etj. Do t’i vendosnim atë kunjin e fundit arkivolit të Ballkanit të Hapur. Ofruam një marrëveshje që në një anë, duke dëgjuar dëshirën e Kosovës që të përfaqësohet vet në organet e CEFTA-s dhe pastaj kemi ofruar sigurinë gjermane-evropiane dhe në kufij. Por duhet të jemi të qartë, ne, Gjermania duam tregti të lirë në rajon dhe kjo përfshin edhe mallrat nga Serbia. Nuk janë vetëm mallrat serbe, por edhe produktet gjermane që prodhohen në Serbi e që nuk lejohen të hyjnë në Kosovë dhe kjo nuk është në pajtim me parimet tona të tregtisë së lirë. Nuk mund të bëjmë marrëveshje të tillë për tregtinë e përbashkët në tregun rajonal duke pasur këto gjëra”, ka theksuar Sarrazin.

Ai shprehu shqetësimin se nëse Samiti i Berlinit në 14 tetor dështon të sigurojë një treg të përbashkët rajonal, mund të riaktualizohet ideja e “Ballkanit të Hapur”.

“Nëse ky samit nuk mbahet, nëse nuk sigurohet tregu i përbashkët rajonal dhe plani i madh i komisionit evropian që të ketë sukses dhe një gurthemel i kësaj do të jetë samiti më 14 tetor në Berlin, sigurisht që menjëherë vjen Ballkani i Hapur. Pra, Ballkani i Hapur është krijuar për ta anashkaluar Kosovën. Ne, kemi filluar të punojmë ashtu që Kosova të jetë në të njëjtën tryezë, me të njëjtat të drejta, me të njëjtin nivel si të tjerët. Duhet të ecim përpara, nuk mund ta lëmë gjithë rajonin që të presë për këtë bashkëpunim. Nuk mund të rrezikojmë tregun e përbashkët rajonal dhe nuk mund të ketë sukses Procesi i Berlinit. Duhet të ecim përpara, nuk mund ta lëmë gjithë rajonin që të presë për këtë bashkëpunim. Nuk mund të rrezikojmë tregun e përbashkët rajonal dhe nuk mund të ketë sukses Procesi i Berlinit. Pra nuk është në interes të Kosovës, por as tonin”, është shprehur Sarrazin.

Sarrazin bëri të qartë se pjesëmarrja e Kosovës në samit është e rëndësishme për të garantuar që vendi të ketë të drejta të barabarta në tryezën e bisedimeve. Ai theksoi se nëse Kosova refuzon të heqë ndalesat e mallrave, mund të përballet me pasoja të rënda, duke përfshirë mundësinë e përjashtimit nga mekanizmat e ardhshëm dhe ndikimet negative në integrimin në BE.