Sanimi i kanalit Ibër-Lepenc, Rizvanolli njofton për reduktime të furnizimit me ujë

para 50 dite

Qytetarët e disa komunave të Kosovës mund të përballen me reduktime në furnizimin me ujë gjatë ditës së sotme, për shkak të ndërprerjes së përkohshme të furnizimit të kanalit të Ibër-Lepencit.

Sanimi i kanalit Ibër-Lepenc, Rizvanolli njofton për reduktime të furnizimit me ujë

Kjo ndërprerje është bërë e nevojshme për të kryer punime urgjente në kanalin që është dëmtuar nga një sulm terrorist.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se mbrëmë në mesnatë është ndërprerë furnizimi i kanalit me ujë, me qëllim të realizimit të një zgjidhje inxhinierike që do të sigurojë stabilitetin e kanalit. “Për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi terrorist, për të ruajtur sigurinë e kanalit, ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike,” ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka shtuar se intervenimet në kanal kanë përfunduar me sukses dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar. “Nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës,” ka theksuar ministrja.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se prioriteti i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, ndërsa më pas do të zgjerohet furnizimi për kompanitë rajonale të ujësjellësit.

Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e kompanive rajonale të ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë.

Ministrja Rizvanolli ka falënderuar ekipin e Ibër-Lepencit dhe kontraktorin për punën e kryer në kanal, si dhe Ministrin e Mbrojtjes, Xhelal Sveçlën dhe Zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin, të cilët kanë përcjellur nga afër punën në terren gjatë gjithë natës.

Etiketat

Ofertat e fundit