Sallahu: Aktgjykimi për Byronë e Konfiskimit erdhi me vonesë të pajustifikueshme, konfiskimi nis këtë vit
Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas pranimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Foto: Ilustrim
Sipas tij, aktgjykimi është pranuar pas një viti e 28 ditësh, tejkalim ky i afateve ligjore, ndërsa Gjykata ka konstatuar shkelje procedurale gjatë miratimit të projektligjit në Kuvend, duke e kthyer atë sërish për rishqyrtim dhe miratim.
Sallahu e ka cilësuar si joligjore, joprofesionale dhe joetike mbajtjen e një ligji kaq të rëndësishëm për luftimin e krimit dhe korrupsionit në sirtarët e Gjykatës për më shumë se një vit, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për çështje procedurale.
Ai ka shtuar se vonesa të tilla cenojnë kompetencat ekskluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në procesin e miratimit të ligjeve.
Megjithatë, ministri ka theksuar se pavarësisht pengesave nga aktorë të ndryshëm me qëllime të caktuara, procesi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të nisë gjatë këtij viti.
