Qeveria miraton Projektligjin për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë
Qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh në mbledhjen e dytë elektronike, të zhvilluar mbrëmë.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Projektligji synon themelimin dhe organizimin e kësaj Byroje, përcaktimin e kompetencave të saj, si dhe procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në fushën e drejtësisë, ekzekutivi miratoi edhe projektligjet për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për përgjegjësinë disiplinore të tyre.
Po ashtu, u miratuan ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Në sektorin e energjisë, Qeveria miratoi Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, me të cilat synohet rregullimi i sektorit, garantimi i furnizimit të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji dhe mbrojtja e konsumatorëve.
Në mbledhje u miratuan edhe projektligjet për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.
Ndër vendimet e tjera ishte edhe miratimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Qeveria miratoi gjithashtu Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027–2029, ndërsa mori vendim edhe për propozimin e kandidatëve për Kryesues dhe dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
