Rrjeti i Prindërve Edukues apelon: Ndaloni faljen e notave, rikthejeni vlerësimin e drejtë në arsim
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka lëshuar një apel publik drejtuar mësimdhënësve, prindërve, drejtuesve të shkollave, Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), Ministrisë së Arsimit, Inspektoratit të Arsimit, mediave dhe shoqërisë civile, duke kërkuar ndalimin e praktikës së faljes së notave pa meritë dhe rikthimin e një vlerësimi të drejtë dhe të ligjshëm për çdo nxënës.
Nëpërmjet një komunikate për media, Rrjeti i Prindërve Edukues shprehet se falja e notave, pavarësisht justifikimeve të ndryshme, po dëmton rëndë fëmijët, po ul standardet arsimore, po cenon dinjitetin e mësimdhënësve dhe po prodhon pasoja afatgjata negative për shoqërinë.
Rrjeti kërkon me ngulm:
- Vlerësim real, të drejtë dhe pa ndikime të padrejta për çdo nxënës.
- Ndaljen e presioneve për falje të notave.
- Rivendosjen e mekanizmave edukativë si përsëritja e vitit dhe ri-provimet.
- Angazhim të përgjithshëm institucional dhe shoqëror për ta rikthyer dinjitetin dhe cilësinë në sistemin arsimor.
Në apelin e tyre të plotë, të cilin e kanë bashkëngjitur, Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës bën thirrje për trajtimin me seriozitet të kësaj çështjeje dhe kërkon ndihmën e të gjithëve për të nxitur ndryshime pozitive në interes të fëmijëve dhe të ardhmes së vendit.
“Ju lutemi ta trajtoni këtë apel me seriozitetin që kërkon rëndësia e kësaj çështjeje, dhe të na ndihmoni që së bashku të nxisim ndryshime pozitive në interes të fëmijëve dhe të ardhmes së vendit tonë,” thuhet në fund të komunikatës.