Përfundon pushimi pranveror, nesër nxënësit rikthehen në bankat shkollore
Pushimi pranveror ka përfunduar dhe nga nesër nxënësit në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar i rikthehen bankave shkollore. Pas disa ditësh pushim, rifillon procesi mësimor në shkollat fillore dhe të mesme, duke vazhduar gjysmëvjetorin e dytë sipas kalendarit të përcaktuar nga institucionet arsimore.
Foto: Ilustrim
Autoritetet e arsimit kanë bërë të ditur se gjithçka është gati për rifillimin e rregullt të mësimit, ndërsa kanë apeluar tek nxënësit dhe prindërit për përkushtim dhe respektim të orarit shkollor. Po ashtu, mësimdhënësit pritet të vazhdojnë me realizimin e planprogrameve, me synim përmbylljen sa më të suksesshme të vitit shkollor.
Rikthimi në shkolla shënon edhe hyrjen në një periudhë më intensive të angazhimit, pasi në muajt në vijim nxënësit do të përballen me testime, vlerësime dhe përgatitje për përfundimin e vitit mësimor.
