Rritje e Aksesit në shërbime financiare në veri të Kosovës, BQK raporton trefishim të institucioneve financiare
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar të dhëna të reja që tregojnë një rritje të ndjeshme të qasjes në shërbime financiare në veri të vendit.
Sipas raportit të BQK-së, numri i institucioneve financiare në këtë rajon është trefishuar, duke u rritur nga 4 në 12, që nga hyrja në fuqi e rregullores së re.
Kjo rritje e konsiderueshme ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e rrjetit të institucioneve financiare, me një rritje prej 2.7 herë krahasuar me periudhën para rregullores. Kjo ka rezultuar në një qasje më të lehtë për qytetarët dhe bizneset në shërbime bankare dhe financiare.
“Rrjeti i institucioneve financiare është zgjeruar, ku zyrat e institucioneve financiare të licencuara në sektorin financiar të vendit në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 janë rritur për 40 njësi. Sa i përket qasjes në financa në komunat në veri të vendit, nga fundi i vitit 2023, po thuajse është trefishuar numri i institucioneve financiare të cilat janë licencuar për të ushtruar aktivitetin e tyre në katër komunat veriore të vendit, si rezultat i masave të planit të BQK-së për mbështetjen e zgjerimit të qasjes në financa dhe aktiviteteve të përbashkëta me sektorin. Gjithashtu, edukimi financiar ka qenë në fokus të këtyre angazhimeve me efekte pozitive”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Përveç rritjes së numrit të institucioneve financiare, BQK raporton edhe një rritje të numrit të kartelave të klientëve dhe transaksioneve me kartela dhe para elektronike.
“Në fund të vitit 2024, numri i kartelave të klientëve ka arritur rreth 1.7 milion kartela, të cilat përfshijnë kartelat e debitit, kartelat e kreditit, kartelat e debitit me vonesë për individë dhe biznese si dhe kartelat e pagesave me funksion të parave elektronike. Krahasuar me fundin e vitit 2023, numri i përgjithshëm i kartelave të klientëve është rritur për 71,660 apo 4.4%. Në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 numri i transaksioneve me kartela ka arritur rreth 43 milionë duke shënuar një rritje prej 10.8 milionë apo 33.8%. Përveç pagesave me kartela, me rastin e rritjes së shërbimeve dhe institucioneve të parave elektronike, vërehet një rritje e hovshme edhe e numrit të pagesave me para elektronike. Në vitin 2024 janë raportuar rreth 2.2 milion transaksione të pagesave me para elektronike duke shënuar një rritje prej 568,309 apo 35% krahasuar me vitin 2023”, njofton BQK.