Rritja e rasteve me COVID-19, ministria thotë se nuk pritet ashpërsim i masave

19.07.2022

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë shënuar 842 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa është regjistuar edhe një rast i vdekjes nga ky virus. Ndonëse ka rritje të rasteve me COVID-19, autoritetet shëndetësor kanë theksuar se nuk pritet të ketë ashpërsim të masave anti-COVID. Në një përgjigje me […]

Rritja e rasteve me COVID-19, ministria thotë se nuk pritet ashpërsim i masave Foto: Ilustrim

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë shënuar 842 raste të reja pozitive me COVID-19, ndërsa është regjistuar edhe një rast i vdekjes nga ky virus.

Ndonëse ka rritje të rasteve me COVID-19, autoritetet shëndetësor kanë theksuar se nuk pritet të ketë ashpërsim të masave anti-COVID.

Në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se në fuqi do të mbesin masat e miratuara më 30 prill.

“Ministria pranon rekomandime nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Këshilli i ekspertëve për COVID-19. Aktualisht rekomandimet e këtyre trupave dhe të MSh-së janë që të zbatohen masat në fuqi nga 30 prilli; të bartet maska mbrojtëse në mjedise të mbyllura, qytetarët t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim me të gjitha dozat e lejuara sipas kategorive e grupmoshave të popullatës, ndërsa ata me simptoma të testohen”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas këtij institucioni, numri në rritje i rasteve me COVID-19 aktualisht nuk po rezulton me rritje të madhe të numrit të personave me forma të rënda dhe që kërkojnë tretman spitalor.

“Sidoqoftë, ndërmarrja e çfarëdo mase varet nga rekomandimet që japin ekspertët dhe bazuar në treguesit shëndetësorë ku hyn edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor apo mjekim intensiv, numri i vdekjeve, numri i vaksinimeve, etj”.

Ndërsa, të pyetur për masat që kanë ndërmarrë për menaxhimin e situatës me pandeminë, nga MSh-ja përmendën shtimin e kapaciteteve spitalore, rritjen e numrit të testimeve dhe gjurmimeve të kontakteve dhe sigurimin e vaksinave anti-COVID.