Rrahje mes vëllezërve, i dyshuari e godet me grushte viktimën – arrestohet nga policia
Një rast tjetër i dhunës në familje është regjistruar ditën e djeshme në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllanë e tij.
Sipas burimeve të afërta me hetimin, ngjarja ka ndodhur më 04 nëntor 2025, rreth orës 18:00, kur viktima Q.K. (26 vjeç) ka njoftuar Policinë e Kosovës se është sulmuar nga vëllai i tij, N.K. (31 vjeç).
Bazuar në hetimet fillestare, i dyshuari e ka goditur viktimën me grushte dhe shkelma në fytyrë dhe kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar fillimisht në Emergjencën e Rahovecit për trajtim mjekësor dhe më pas është shoqëruar në stacionin policor për të dhënë deklaratën e tij. Ndërkohë, i dyshuari është arrestuar dhe intervistuar nga njësitë policore në Rahovec.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.