Rezoluta e PE-së i bën thirrje BE-së për qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi

31.01.2025

Në Bruksel u miratua draft rezoluta e Parlamentit Evropian për zbatimin e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ajo i bën thirrje vendeve kandidate për anëtarësim në BE që të përafrohen me këtë politikë dhe thekson se zgjerimi i BE-së është një investim gjeostrategjik.

Në draft-raportin e hartuar nga kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, mirëpritet dialogu midis BE-së dhe partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, theksohet rëndësia e partneriteteve për paqen dhe sigurinë, si dhe nevoja për reforma në shtetin e së drejtës, të drejtat themelore dhe administratën publike.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përparimi në këtë proces është i mirëpritur, veçanërisht në fushën e lirisë së lëvizjes dhe energjisë. Megjithatë, shprehet keqardhje për mungesën e progresit në zbatimin e rrugës për normalizimin e marrëdhënieve dhe bëhet thirrje për përpjekje të shtuara në këtë drejtim.

Në amendamentet e miratuara, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë i kërkohet të kapërcejë ngërçin dhe t’i japë një vrull të ri dialogut. Kosova dhe Serbia ftohen të angazhohen në dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, “të bazuar në njohjen reciproke”.

Amendamentet dënojnë sulmet në infrastrukturën kritike pranë Zubin Potokut dhe sulmin në Banjskë në vitin 2023 dhe bëjnë thirrje që autorët e këtyre sulmeve të dalin para drejtësisë.