Sorensen: Ka përparim në dialogun Kosovë–Serbi

23.10.2025

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Peter Sorensen, ka deklaruar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një rrugëtim i vazhdueshëm, që zhvillohet çdo ditë me synimin për të përmirësuar jetën e qytetarëve në të dyja vendet.

Në një intervistë për agjencinë italiane Agenzia Nova, Sorensen ka theksuar se normalizimi nuk mund të arrihet me një takim të vetëm, por përmes një procesi të qëndrueshëm e bashkëpunues.

“Që nga marrja e detyrës, kam mbajtur më shumë se 60 takime zyrtare në rajon dhe kam organizuar dy raunde të takimeve të kryenegociatorëve në Bruksel, ku janë diskutuar çështje shumë konkrete – nga bashkëpunimi ekonomik deri te kërkimi dhe identifikimi i personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës midis viteve 1998 dhe 2000”, ka thënë Sorensen.

Ai ka vënë në dukje se rezultatet e dialogut tashmë janë të dukshme në praktikë:

“Çdo ditë, njerëzit, automjetet dhe mallrat lëvizin lirshëm midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm këtë verë, mbi 1.7 milion njerëz dhe rreth 650 mijë automjete kanë kaluar pikat e përbashkëta kufitare. Makinat me targa të lëshuara nga Kosova tani mund të kalojnë në Serbi, ndërsa qytetarët paguajnë për energjinë sipas kushteve të dakorduara. Kjo është provë e prekshme se dialogu po funksionon.”

Sorensen theksoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet platforma e vetme për normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian varet nga ky proces.

Duke folur për politikën e zgjerimit, emisari evropian tha se “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” është një hap i rëndësishëm në afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

“Plani tregon angazhimin tonë për të ardhmen e rajonit dhe vendos pritje të qarta. Për Serbinë dhe Kosovën, kjo do të thotë angazhim konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve të tyre,” tha ai.

Në lidhje me zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, Sorensen u shpreh i kënaqur me zhvillimin e tyre:

“Ne mirëpresim një proces paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës. Të gjitha komunitetet morën pjesë dhe mbulimi mediatik ishte i lirë dhe i drejtë. Pjesëmarrja në komunat me shumicë serbe ishte mesatarisht mbi 50 për qind, që është një shenjë shumë pozitive.”

Ai shtoi se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje dhe fitorja e partive serbe në nëntë komuna me shumicë serbe janë dëshmi se ata janë një pjesë integrale e shoqërisë së Kosovës.

“Tani është e rëndësishme që, pas certifikimit të rezultateve, të ketë një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale,” theksoi Sorensen.

Në fund të intervistës, ai komentoi edhe mbi tensionet e fundit midis udhëheqësve institucionalë të Kosovës dhe Serbisë gjatë samitit të Procesit Brdo–Brioni në Durrës më 6 tetor.

“Bashkimi Evropian pret që të gjithë udhëheqësit në rajon të tregojnë angazhim konstruktiv. Dialogu është hapësira ku Kosova dhe Serbia duhet t’i adresojnë mosmarrëveshjet me qetësi dhe konstruktivitet. Prandaj, i inkurajojmë të dyja palët të shmangin shkëmbimet publike dhe të përqendrohen në zbatimin e angazhimeve të dakorduara,” përfundoi Sorensen.