Kosova hedh hapin drejt zonës “Roam Like at Home”: Hiqen tarifat e telefonisë me Bashkimin Evropian

24.07.2026

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot nismën për lidhjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aderimin e vendit në zonën “EU Roam Like at Home”.

Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian dhe do të sjellë lehtësi të mëdha komunikimi për qytetarët.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, qytetarët e Kosovës që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian do të mund të komunikojnë pa kosto shtesë të roaming-ut.​

Po ashtu, nga kjo masë do të përfitojë drejtpërdrejt edhe mërgata, e cila gjatë qëndrimit në atdhe do të ketë mundësi të përdorë shërbimet e telefonisë celulare me të njëjtat tarifa si në vendet ku jetojnë.​

Me miratimin e kësaj nisme, hapet rruga për procedurat zyrtare të negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në, e cila synon të ulë barrierat e komunikimit dhe të afrojë më tej Kosovën me tregun e përbashkët evropian.