Rekord i ri ekonomik: Qarkullimi i bizneseve në Kosovë arrin 10.7 miliardë euro
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se qarkullimi i bizneseve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 ka arritur në 10.7 miliardë euro, duke shënuar një rekord të ri.
Foto: Ilustrim
Kjo paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro.
Murati thekson se Qeveria është përkujdesur të rrisë mbështetjen për bizneset nëpërmjet një sërë masash, përfshirë:
- Përmirësimin e qasjes në financa përmes rritjes së kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore
- Subvencionimin e punësimit të të rinjve përmes programit Superpuna
- Subvencionimin e kredive investive
- Rritjen e mbështetjes për sektorin e bujqësisë
- Rritjen e fuqisë blerëse të familjeve përmes rritjes së pagave, pensioneve dhe shtesave për fëmijë
- Pagesën me kohë dhe pa vonesa të faturave dhe detyrimeve ndaj bizneseve
Sipas Muratit, këto të dhëna zyrtare janë dëshmi e qartë që hedhin poshtë pretendimet e pavërteta të cilat, siç u shpreh ai, shpesh i dëgjojmë nga disa portale dhe studio televizive.