Pagesat për punëtorët e sektorit privat pritet të ekzekutohen të hënën, në shqyrtim edhe aplikimet e studentëve
Komisionet vlerësuese kanë nisur që nga fillimi i kësaj jave shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura të Pakos për Përballje me Inflacion 2.0, përkatësisht mbështetjen financiare për punëtorët e sektorit privat dhe studentët.
Foto: Ilustrim
Sipas njoftimit, puna e komisionit për masën e dedikuar sektorit privat është drejt përfundimit dhe ekzekutimi i pagesave pritet të realizohet në fillim të javës së ardhshme, respektivisht të hënën.
Ndërkohë, komisioni që po merret me shqyrtimin e aplikimeve të studentëve do ta përfundojë procesin pasi të pranojë konfirmimet e nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë për studentët aplikues.
Autoritetet kanë bërë të ditur se publiku do të njoftohet me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim.
