Refuzimi i vizitës në Luginën e Preshevës, Çeku: Shkelje e marrëveshjes së Brukselit

19.12.2024

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka denoncuar publikisht refuzimin e autoriteteve serbe për të lejuar një vizitë zyrtare të planifikuar në Luginën e Preshevës.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri theksoi se Serbia po vazhdon “lojën e ndytë” duke shfaqur dyfytyrësi në raport me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas ministrit Çeku, Serbia kishte detyrimin të përgjigjej për kërkesën e vizitës brenda afatit 48-orësh, por refuzimi u dha vetëm një orë para nisjes së planifikuar, duke shkelur hapur marrëveshjen ndërkombëtare.

Ministri Çeku kishte planifikuar një vizitë me rëndësi simbolike dhe institucionale në Luginën e Preshevës, për të takuar kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, si dhe për të vizituar institucione kulturore dhe organizata rinore.

“Përkundër kësaj pengese, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe të jemi pranë qytetarëve të Preshevës,” deklaroi Çeku, duke nënvizuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve të kësaj zone.

Ministri kritikoi ashpër autoritetet serbe për këtë akt, duke theksuar se veprime të tilla dëshmojnë mungesën e interesit për marrëdhënie normale fqinjësore. Ai gjithashtu theksoi se sjellja e Serbisë kontraston me qëndrimet që ajo pretendon në Bruksel për konstruktivitet dhe respektim të marrëveshjeve.