Çeku: Rrënimi i “Sarajit të Vjetër” në Prizren ishte shkelje e rëndë, radhën e ka Prishtina
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit për rrënimin e kompleksit “Sarajit të Vjetër”.
Ai ka theksuar se tashmë është vërtetuar ajo që, sipas tij, është thënë prej fillimit: rrënimi i këtij monumenti nuk ishte gabim, por një shkelje e rëndë me pasoja të pariparueshme për trashëgiminë kulturore të vendit.
Sipas Çekut, aktakuza e ngritur nga Prokuroria ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe një bashkëpunëtoreje profesionale të komunës, pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Kulturës, është hap i rëndësishëm drejt vendosjes së përgjegjësisë. Ai ka bërë të ditur se këta zyrtarë akuzohen se me veprimet e tyre kanë lejuar rrënimin e paligjshëm të “Sarajit të Vjetër”, i cili ka qenë në mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore.
Sipas vlerësimeve, dëmi i shkaktuar nga rrënimi i kompleksit kalon shumën prej 15 milionë eurosh, duke u cilësuar si një humbje e madhe kulturore dhe financiare.
Në reagimin e tij në rrjete sociale, Çeku ka thënë se kjo aktakuzë është një mesazh i qartë se askush nuk mund të cenojë trashëgiminë kulturore pa u përballur me drejtësinë. Ai gjithashtu ka rikujtuar se Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal edhe ndaj Komunës së Prishtinës për raste të tjera të cenimit të trashëgimisë, duke shtuar se standardi i vendosur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit duhet të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës.
“Mbajmë vendosmërinë për të mbrojtur çdo aset dhe çdo monument që ruan identitetin tonë kulturor”, ka deklaruar Çeku.