Serbia drejt rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, shqiptarët në Luginë e quajnë të papranueshëm
Serbia është shumë afër të funksionalizojë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, por një nismë e tillë ka ngjallur reagime të ashpra tek shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.
Foto: Balkan Insight
Për ta, një vendim i tillë është i papranueshëm, duke marrë parasysh të kaluarën dhe raportet e ndërlikuara me ushtrinë serbe.
Ragmi Mustafi, këshilltar komunal në Bujanoc, thekson se ushtria serbe nuk përfaqëson shqiptarët, përkundrazi ajo përfaqëson një histori dhune dhe abuzimi ndaj tyre.
“Është komplet e papranueshme çfarëdo nisme për rekrutimin e shqiptarëve për në ushtrinë serbe, e aq më tepër për shërbim të detyrueshëm ushtarak te shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Ajo ushtri nuk përfaqëson shqiptarët, ajo ushtri është një ushtri që përfaqëson anën e kundërt të shqiptarëve, përkatësisht vrasësit dhe ata që kanë ushtruar dhunë e kanë abuzuar me të drejtat tona e me jetët tona në Luginë të Preshevës”, u shpreh Mustafi.
Dy ditë më parë, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka propozuar krijimin e një Komisioni të posaçëm që do të hetonte rastet e vdekjeve të ushtarëve shqiptarë gjatë shërbimit në Armatën Popullore të Jugosllavisë në vitet ’80. Mustafi e sheh këtë si një hap të nevojshëm drejt ballafaqimit me të kaluarën.
“Është mirë që të zbulohet e vërteta. Përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë të ardhmen, përmes të vërtetës ne mund të ndërtojmë paqen. Ndryshe, Serbia duhet të përballet përfundimisht me të kaluarën e saj”, tha ai.
Megjithatë, njohësit e rrethanave politike në Serbi konsiderojnë se është e vështirë që nisma e Kamberit të gjejë zbatim. Pavarësisht kësaj, Mustafi thekson se zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet dhe se përfaqësimi politik i tyre në këto çështje është vendimtar.
“E rëndësishme është që shqiptarët të ngrenë zërin. E rëndësishme është që edhe deputeti shqiptar, në mënyrë brilante të përfaqësojë këto tema me të cilat edhe më tej ballafaqohet komuniteti shqiptar. E rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të shohë proaktiv komunitetin shqiptar dhe shumë më e rëndësishme është që ne të themi të vërtetën”, përfundoi Mustafi.