Raporti i GAP: Emigrimi dhe papunësia po zbrazin tregun e punës në Kosovë, potencial i madh tek joaktivët
Instituti GAP ka publikuar të mërkurën raportin e ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, duke zbuluar sfida serioze me të cilat po përballet tregu i punës në vend si pasojë e emigrimit të lartë dhe pjesëmarrjes së ulët të fuqisë punëtore.
Sipas raportit, deri në vitin 2023, rreth 359 mijë persona kanë emigruar nga Kosova, ndërsa vetëm 99 mijë janë kthyer ose janë të huaj që jetojnë në vend. Ky bilanc negativ migrimi ka sjellë mungesë të ndjeshme të fuqisë punëtore në tregun vendor. Të dhënat e GAP-it tregojnë se nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 43% janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 57% janë joaktivë. Një pjesë e madhe e kësaj kategorie joaktive përbëhet nga gratë (66%), duke theksuar hendekun gjinor në tregun e punës.
Për të adresuar këtë situatë shqetësuese, raporti i GAP rekomandon një sërë masash të rëndësishme. Ndër to përfshihen trajnime të specializuara që i përgjigjen kërkesave reale të tregut, politika mbështetëse për integrimin e grave në punë, riorientim profesional për të rinjtë NEET (që nuk janë në arsim, punë apo trajnim), bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve arsimore dhe sektorit privat, stimuj për punëdhënësit që punësojnë persona të papunë për një kohë të gjatë, mbështetje për teknologjitë inovative dhe zhvillimin e shkathtësive në sektorin e energjisë së pastër.
Instituti GAP thekson se rritja e përfshirjes në tregun e punës e personave aktualisht joaktivë është zgjidhja më e qëndrueshme për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.