Qytetari nga Shtimja gjen dhe dorëzon në polici një portofol me para dhe dokumente
Një akt shembullor i ndërgjegjes qytetare ka ndodhur sot në Shtimje, ku një qytetar ka gjetur dhe dorëzuar në stacionin policor një portofol të humbur me para dhe dokumente personale.
Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se më 09 maj 2025, rreth orës 14:35, qytetari G. Z., 25 vjeç nga fshati Davidoc, ka dorëzuar në stacionin policor në Shtimje një portofol që e kishte gjetur në qytet.
Në prani të qytetarit dhe zyrtarëve policorë, është konstatuar se në portofol ndodheshin 160 euro dhe dokumente personale. Pas verifikimit të identitetit, policia ka zbuluar se portofoli i përkiste B.F. nga Shtimja.
Policia e ka kontaktuar menjëherë pronarin, i cili është paraqitur në stacionin policor për të marrë portofolin e tij. Dokumentet dhe paratë iu kthyen pronarit me procesverbal zyrtar.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur mirënjohjen e saj për qytetarin G. Z., duke e vlerësuar këtë gjest si një akt human dhe shembullor. Policia thekson se ky veprim pasqyron standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare.