Shtime: Ndahet nga jeta drejtoresha e arsimit, Yllka Fejzullahu
Komuna e Shtimes është tronditur nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të drejtoreshës së arsimit, Yllka Fejzullahu.
Kryetari i komunës, Dr. Qemajl Aliu, përmes një reagimi publik e ka cilësuar këtë humbje si të rëndë për institucionet dhe qytetarët.
Ai theksoi se Fejzullahu ishte ndër aktivistet e para të Lëvizjes, asambleistja e parë në Kuvendin Komunal dhe një figurë e shquar në jetën politike e institucionale të Shtimes.
Sipas tij, ajo u dallua si drejtoreshë e përkushtuar e arsimit, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në avancimin e reformave arsimore në komunë.
Kryetari Aliu vlerësoi lart integritetin, profesionalizmin dhe përkushtimin e saj, duke e përshkruar si një grua të urtë, punëtore dhe me dinjitet të lartë njerëzor e intelektual.
Ai shtoi se Fejzullahu ishte frymëzim për të rinjtë dhe la gjurmë të pashlyeshme në jetën publike.
Yllka Fejzullahu ndërroi jetë pas një sëmundjeje të shkurtër, në kulmin e karrierës së saj, duke lënë pas pikëllim të madh te familjarët, bashkëpunëtorët dhe qytetarët e Shtimes.
Ajo do të kujtohet për kontributin e saj në arsim, politikë dhe shoqëri.
