Qytetarët e Kosovës ankohen për gjobat që i marrin në Shqipëri

10.07.2025

Shumë qytetarë të Kosovës që udhëtojnë drejt Shqipërisë po përballen me gjobë nga radarët rrugorë, për të cilat, sipas tyre, nuk njoftohen nga asnjë institucion – as nga Policia e Shtetit shqiptar dhe as nga Policia e Kosovës.

Qytetarët e Kosovës ankohen për gjobat që i marrin në Shqipëri Foto: Ilustrim

Për pasojë, këto gjoba rriten çdo ditë me kamatë prej 2%, duke i rënduar financiarisht udhëtarët.

Një rast konkret është ai i Saranda Krasniqit, e cila ka udhëtuar për në Shqipëri në muajin maj dhe është gjobitur për tejkalim të shpejtësisë nga radarët rrugorë. Ajo nuk është njoftuar për gjobën deri një muaj më vonë, kur sërish udhëtoi drejt Shqipërisë dhe u ndalua në pikën kufitare në Morinë.

“Kam udhëtuar në një fundjavë dhe gjatë rrugës paskam marrë një gjobë nga radari, por nuk më është treguar asgjë. Më njoftuan vetëm një muaj më vonë, në kufi. E gjoba kishte filluar të rritej,” tha ajo për Radio Kosovën.

Në pikën kufitare, asaj i është dorëzuar një procesverbal me arsyetimin për shkeljen dhe sqarimin se, nëse pagesa nuk kryhet brenda 15 ditëve, çdo ditë vonesë i shtohet me 2% kamatë.

Në lidhje me këtë problematikë, vetëm Policia e Shtetit shqiptar ka dhënë përgjigje për Radio Kosovën. Sipas saj, njoftimi për shkeljet rrugore bëhet në pikat kufitare gjatë hyrjes ose daljes nga territori shqiptar. Aty, sipas procedurës, drejtuesit të mjetit i jepet printuar fleta e gjobës, së bashku me udhëzimet për mënyrën e pagesës.

Policia shqiptare shton se gjobat mund të paguhen në çdo zyrë financiare që ka marrëveshje me Policinë e Shtetit, përfshirë edhe ato që ndodhen në pikat kufitare. Në rast se kundërvajtësi nuk e paguan gjobën edhe pasi është njoftuar, mund t’i tërhiqet leja e drejtimit deri në kryerjen e pagesës.

Ndërkohë, për qytetarët që mendojnë se nuk janë njoftuar me kohë ose nuk pajtohen me gjobën, Kodi Rrugor i Shqipërisë parashikon të drejtën e ankimit. Ankesat mund të dërgohen me postë ose elektronikisht në adresat:

📧 policiaeshtetit@asp.gov.al

📧 salla.monitorimi@asp.gov.al

Nëse ankimi pranohet, qytetarit mund t’i hiqet kamatëvonesa dhe mund të përfitojë ulje 50% të gjobës, nëse pagesa kryhet brenda 15 ditëve pas vendimit.

Për këtë çështje, Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga institucionet përgjegjëse në Kosovë – Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe Qendra për Menaxhimin Kufitar – por asnjëra prej tyre nuk ka dhënë ende ndonjë reagim zyrtar.

Përballë mungesës së njoftimit në kohë dhe shtimit të kamatës ditore, qytetarët kërkojnë më shumë transparencë dhe bashkëpunim ndërinstitucional, që gjobat të mos bëhen barrë e papritur në udhëtimet e tyre drejt Shqipërisë.

Suspected Malware | Cloudflare

Warning

Suspected Malware

This website has been reported for potentially distributing malware.

Malware is malicious software created to intentionally disrupt the normal operations of a device.

Learn More