Qeverisë i kërkohet që t’i trajtojë njëjtë të gjitha komunat

04.01.2022

Prandaj duke u bazuar në këtë, Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë, kjo edhe sa i përket orientimit të investimeve. Duke filluar nga shtrirja e rrjetit të ujësjellësit, trajtimit të ujërave të zeza e investimet në infrastrukturë janë disa nga projektet që edhe kërkojnë mbështetje […]

Qeverisë i kërkohet që t’i trajtojë njëjtë të gjitha komunat Foto: Ilustrim

Prandaj duke u bazuar në këtë, Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë, kjo edhe sa i përket orientimit të investimeve.

Duke filluar nga shtrirja e rrjetit të ujësjellësit, trajtimit të ujërave të zeza e investimet në infrastrukturë janë disa nga projektet që edhe kërkojnë mbështetje më të madhe nga ana e Qeverisë së vendit.

Se komunat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë e thotë edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi ka theksuar se komunat duhet të trajtohen në mënyrë të njëjtë dhe se të mos shikohen në bazë të përkatësisë politike.

Po ashtu, ai ka shtuar se përkrahja e nivelit lokal nga ana e nivelit qendror është i rëndësishëm për realizimin e shumë projekteve, projekte këto prej të cilave përfitojnë edhe qytetarët.

“Qeveria e ka për obligim t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo përkatësinë etnike. Sa i përket ndarjeve buxhetore tek granti i përgjithshëm ekzistojnë kriteret, gjithashtu edhe tek granti i shëndetësisë, i arsimit, mirëpo hilja më e madhe ka qenë nga ministritë e linjës të cilët kanë investuar nëpër komuna duke marrë parasysh më shumë kritere politike dhe etnike se sa ato profesionale.

Për këtë arsye kemi tentuar gjithnjë që kritere të tilla të mos parashihen më me legjislacionin në fuqi dhe kemi kërkuar që të themelohet një grant i cili të gjitha këto mjete do t’i kanalizojë përmes atij granti në mënyrë që të gjitha komunat në mënyrë të barabartë të përfitojnë, e jo që të investojnë në disa komuna për shkak të përkatësisë politike dhe në disa raste etnike dhe jo t’i trajtojnë të gjitha komunat barabartë”, thotë ai.

Ibrahimi thotë se shpresojnë që gjatë këtij viti të hyjë në fuqi Ligji për financat e pushtetit lokal, në të cilin është paraparë krijimi i grantit të katërt apo grantit për investime kapitale. Nga i njëjti, ai thotë se komunat do të përfitojnë mbi 90 milionë euro më shumë sesa vitet paraprake.