Qeveria ndan edhe 15 milionë euro për luftimin e pandemisë COVID-19

Qeveria ndan edhe 15 milionë euro për luftimin e pandemisë COVID-19
Çlirim Gashi

08.06.2021 / Lajme

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku në këtë mbledhje janë bërë disa propozim-vendime radhazi.

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për Marrëveshjen e Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për Covid-19”, që është financim shtesë ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 që kap shifrën 15 milionë euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfere, Hekuran Murati tha se këto mjete do të shfrytëzohen për forcimin e kapaciteteve shëndetësor në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj pandemisë.

Sipas tij, marrëveshja ka synim mbështetjen për prokurim dhe distribuuim të vaksinave kundër COVID-19.

“Në këtë pikë të rendit të ditës paraqes për aprovim nismën për negocimin e financimit shtesë për projektin emergjent të Kosovës për COVID-19, në mes të Republikës së Kosovës që përfaqësohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim marrëveshja e financimit shtesë kap totale prej 15 milionë eurove dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazë e nënshkruar më datën 29 qershor 2020 me ANZH.

Mjetet financiare të kësaj kredie shtesë do destinohen si vazhdimësi e përgjigjes ndaj pandemisë COVID-19, dhe pikë kyçe do mbetet forcimi i kapacitetit shëndetësor në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj pandemisë.

LEXO EDHE:  OJQ’të dalin kundër Kurtit që t’ua mbulojë mërgimtarëve shpenzimet për Kartonin e Gjelbër

Veçanërisht marrëveshja ka synim mbështetjen për prokurim dhe distribuuim të vaksinave kundër COVID-19 përfshirë edhe financimin retoraktiv të buxhetit të shpenzuar tashmë në këtë drejtim”, tha Murati.

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar nismën për Amendamentimin e Marrëveshjes mbi përvetësimin e kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar edhe propozim-vendimin për dnryshimin dhe plotësimin e vendimit për grupin punues ndërinstitucional për rishikimin e Strategjisë së Sigurisë së Kosovës për vitin 2021-2030.

Ndryshe gjatë kësaj mbledhjeje, po ashtu ministri Murati ka paraqitur propozim-vendimin për rimbursimin e qytetarëve të cilët kanë tërhequr 10 përqindëshin e kursimeve nga Fondi për Kursime Personale (Trusti).

Këtë propozim-vendim të paraqitur nga ministri Murati, Qeveria e ka miratuar pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

“Përcaktohet që rimbursimi do të fillojë nga vitit fiskal 2023 dhe do të vazhdojë në vitet pasuese. Shuma përcaktuese do të caktohet përmes ligjit. Ky ligj do të sigurojë më tepër siguri fiskale”.

RAPORTO