Qeveria do të subvencionojë faturat e energjisë për familjet e cenueshme gjatë dimrit

07.10.2025

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se Qeveria ka miratuar Programin për Subvencionimin e Faturave të Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme, i cili do të zbatohet gjatë sezonit dimëror 2025-2026.

Sipas Muratit, subvencionimi do të vlejë për faturat e energjisë nga tetori deri në mars, dhe pagesat do të realizohen drejtpërdrejt në llogaritë e konsumatorëve, pas leximit të orëmatësve, pra në muajin pasues.

“Familjet që kanë qenë përfituese nga programi në vitin e fundit nuk kanë nevojë të ri-aplikojnë, përveç nëse kanë ndryshuar vendbanimin apo orëmatësin e energjisë elektrike,” shkroi Murati në një postim në Facebook.

Programi synon të ndihmojë familjet që kanë të ardhura mesatare më pak se 150 euro në muaj për anëtar, si dhe prona të paluajtshme me vlerë nën 100,000 euro.

Murati njoftoi gjithashtu se gjatë ditëve në vijim do të publikohen detaje shtesë në lidhje me procedurat për aplikime të reja dhe ndryshimet e mundshme të orëmatësve, për të siguruar që të gjitha familjet e kualifikuara të përfitojnë nga kjo mbështetje.

Ky program është pjesë e masave të Qeverisë për të zbutur ndikimin ekonomik të çmimeve të energjisë tek shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë të vitit.