Popovci: Sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve do të ndryshojë

11.09.2022

Deri në fund të vitit pritet që sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve në Kosovë të pësojë ndryshime dhe të rregullohet me Ligj, pasi deri më tani, ka pasur shumë mangësi. Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci. Njohës të arsimit theksojnë se mënyra e vlerësimit duhet të ndryshohet ashtu që mësimdhënësit të kenë […]

Popovci: Sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve do të ndryshojë Foto: Ilustrim

Deri në fund të vitit pritet që sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve në Kosovë të pësojë ndryshime dhe të rregullohet me Ligj, pasi deri më tani, ka pasur shumë mangësi.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Njohës të arsimit theksojnë se mënyra e vlerësimit duhet të ndryshohet ashtu që mësimdhënësit të kenë një vlerësim të vazhdueshëm të performancës së tyre.

Procesi i vlerësimit të mësimdhënësve në Kosovë, aktualisht ka shumë mangësi dhe për këtë kërkohet ndryshimi i mënyrës se vlerësimit. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për Radio Kosovën, se kjo çështje është duke u rregulluar me ligj, pasi që sistemi aktual i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, nuk është efektiv. Pupovci bëri të ditur së Ministria e Arsimit e ka në programin qeverisës rishikimin e këtij sistemi.

“Kjo çështje tashmë është duke u rregulluar edhe me ligj. Mirëpo, ne kemi vërejtur që gjatë kësaj periudhe sistemi aktual i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve nuk është efektiv, sepse bëhet vetëm një herë në pesë vjet dhe bëhet nga ana e inspektoratit të arsimit, i cili thjesht nuk ka kapacitet që ta bëjë një vlerësim të tillë për 23 mijë mësimdhënës, sa janë afërsisht në Kosovë”, tha zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Edhe njohësit e çështjeve të arsimit, vlerësojnë se ka nevojë për ndryshim të këtij sistemi. Rinor Qehaja, nga instituti “ Edguard”, i tha Radio Kosovës së është i domosdoshëm një ristrukturim i sistemit të vlerësimit, në mënyrë që mësimdhënësit të kenë një vlerësim të vazhdueshëm të performancës.

“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve me legjislacionin në fuqi, lë shumë për të dëshiruar dhe ka shumë pikëpyetje. Kështu që, një ristrukturim i të njëjtit është i domosdoshëm, në mënyrë që të sigurohemi që mësimdhënësit të kenë një vlerësim të vazhdueshëm të performancës. Pra, jo vlerësim një herë në pesë vjet, jo vlerësim nga drejtori ose inspektori, me paralajmërime që nuk janë valide dhe të besueshme. E rëndësishme është që mësimdhënësit nga vlerësimi i performancës të kuptojnë se ku çalojnë, ku kanë ngecje dhe t’u ofrohet përkrahje institucionale që t’i korrigjojnë ato. Pra, ky duhet të jetë qëllimi i vlerësimit të performancës”, tha Rinor Qehaja për Radio Kosova.

Sipas Ministrisë se Arsimit, deri në fund të vitit, do të këtë një sistem tjetër të vlerësimit të performacës, e i cili do të jetë më i zbatueshëm. Nga ana tjetër, do të mundësojë edhe licencimin në atë formë që licencat të lidhen edhe me pagat e tyre.