Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në 24 orët e fundit, aksidentet mbeten shqetësim

06.12.2025

Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit vazhdon të jetë një nga arsyet kryesore të aksidenteve në vend.

Si një nga mënyrat për të parandaluar këto incidente, Policia e Kosovës vazhdon të zbatojë masa të rrepta, duke shqiptuar gjoba ndaj shoferëve që shkelin rregullat e trafikut.

Sipas statistikave të fundit, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2,040 gjoba në të gjithë Kosovën. Megjithatë, edhe me këto masa, aksidentet trafiku nuk kanë munguar: gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 22 aksidente me persona të lënduar dhe 44 aksidente me dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk ka pasur aksidente me fatalitet.

Përveç masave financiare, Policia e Kosovës ka ndërmarrë edhe masa ligjore ndaj shkelësve më të rrezikshëm të ligjit. Gjatë 24 orëve të fundit, 21 persona janë arrestuar, 8 janë dërguar në mbajtje, 2 po vuajnë dënimin, ndërsa nuk ka persona në ndalim policor.

Autoritetet theksojnë se respektimi i rregullave të komunikacionit është i domosdoshëm për sigurinë e të gjithëve dhe bëjnë thirrje që qytetarët të tregohen të përgjegjshëm, për të reduktuar numrin e aksidenteve dhe për të ruajtur jetën e vet dhe të të tjerëve.