Policia e Kosovës në Prizren organizon tryezë diskutimi për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje
Policia e Kosovës, Drejtoria për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ka organizuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren një tryezë diskutimi në kuadër të fushatës globale “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Temë qendrore e këtij aktiviteti ishte “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje, me fokus në aspektet e sigurisë”.
Ky aktivitet ka mbledhur përfaqësues të institucioneve kyçe të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së viktimave, duke përfshirë Prokurorinë e Shtetit, Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave, qendrat për punë sociale, gjykatat, strehimoret, mekanizmat lokalë koordinues, si dhe organizata të shoqërisë civile. Tryeza ka mundësuar një diskutim të hapur dhe shkëmbim të përvojave profesionale lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, zbatimin e masave mbrojtëse dhe forcimin e qasjes në drejtësi për viktimat.
Pjesëmarrësit kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimit me komunitetin për adresimin më efektiv të rasteve të dhunës në familje. Një fokus i veçantë është vënë mbi garantimin e sigurisë së viktimave, përmes monitorimit elektronik të urdhrave mbrojtës dhe zbatimit të Procedurave Standarde Operative të Policisë që lidhen me reagimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rasteve.
Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin e saj për një reagim profesional, të koordinuar dhe të orientuar kah viktimat. Përmes trajnimeve të vazhdueshme, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet partnere, Policia e Kosovës mbetet e vendosur të luftojë dhunën në familje dhe të sigurojë mbrojtjen dhe sigurinë e çdo qytetari.
Në përfundim, Policia e Kosovës falënderon OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjitha institucionet pjesëmarrëse për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të çmuar. Duke theksuar se dhuna në familje është e papranueshme dhe përbën vepër penale, Policia e Kosovës i bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dhunës, duke garantuar se çdo raportim trajtohet me profesionalizëm, konfidencialitet dhe seriozitet të lartë, me qëllim mbrojtjen e menjëhershme të viktimave dhe parandalimin e çdo forme të dhunës.