Policia e Kosovës merr pjesë në Konventën e Europol-it në Hagë

25.09.2025

Një delegacion i lartë i Policisë së Kosovës ka marrë pjesë në Konventën Vjetore të Shefave të Policive, e cila u mbajt më 23 dhe 24 shtator në selinë e Europol-it në Hagë.

Delegacioni ishte i udhëhequr nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Hetimeve, drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar dhe zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Europol.

Konventa, e organizuar nga Europol-i në bashkëpunim me Presidencën Daneze të Bashkimit Evropian, ka mbledhur përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare dhe partnere. Në qendër të punimeve ishin sfidat e reja të sigurisë dhe mënyrat për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me fokus në:

  • krimin e organizuar ndërkombëtar,
  • luftën kundër trafikimit të narkotikëve,
  • pastrimin e parave,
  • keqpërdorimin e shërbimeve financiare digjitale,
  • format e reja të krimit financiar.

Gjatë qëndrimit në Hagë, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi edhe takime bilaterale me përfaqësues të lartë të policive partnere dhe institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare. Bisedimet u përqendruan në çështje që lidhen me sigurinë rajonale dhe globale, format inovative të bashkëpunimit policor, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për rritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve policore.

Pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në këtë konventë dëshmon përkushtimin e saj për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të përmirësuar aftësitë në përballimin e sfidave të reja të sigurisë që po zhvillohen në nivel global.