[PETICION] Për t’i dhënë fund monopolit në homologim dhe këtij obligimi në tërësi

Qytetarët e vendit kanë filluar nënshkrimin e një peticioni online për t’i dhënë fund monopolit të Devollëve në homologim dhe këtij obligimi në tërësi. Ata po kërkojnë nga Kuvendi që të ndryshohet Ligji për Automjete. Deri tash peticioni është nënshkruar nga rreth 500 qytetarë. Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka reaguar së ambasadori gjerman, Oda Amerikane dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ekonomisti Hekuran Murati ka nisur nënshkrimin e një peticioni online lidhur me monopolin e Devollëve për homologimin e automjeteve. Përmes këtij peticioni, po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim.

Prishja e monopolit nuk mjafton, obligimi për homologim duhet hiqet në tërësi. 

Arsyeja pse qytetarët paguajnë 125 euro për homologim nuk është për shkak të mungesës së konkurrencës, por për shkakun se Ministria e Infrastrukturës e ka përcaktuar atë çmim. Me fjalë tjera, kjo Ministri është vënë kryekëput në shërbim të kompanisë EuroLab dhe misionin kryesor e ka profitabilitetin e jësaj kompanie.  

Prandaj çdo shpresë se me hapjen e tregun situata do të përmirësohet është e kotë. Ministria ndoshta edhe mund të licencojë një kompani të dytë sa për sy e faqe – mundësisht me pronar vëllaun tjetër Devolli. Por çmimi përsëri do të mbetet i njëjtë. 

Për më tepër, homologimi/verifikimi si i tillë nuk është se ka ndonjë vlerë të shtuar për qytetarin marrë parasysh që shumica dërrmuese e veturave importohen nga shtetet e BE-së. Për veturat që importohen nga shtete që nuk standardet e njëjta (Britani, SHBA etj), verifikimin mund t’a bëjë dogana ose edhe kontrolli teknik. 

Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara. 

Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete.

Është koha që deputetët të tregojnë se a janë me të vërtetë përfaqësues të popullit apo marioneta të oligarkëve. 

Peticioni mund të nënshkruhet KËTU

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.