Përleshje mes të miturve në Obiliq, një i therur me thikë – një i ndaluar nga Policia
Një përleshje e dhunshme mes katër të miturve ka ndodhur të dielën mbrëma në qytetin e Obiliqit, ku njëri nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e therjes me thikë.
Ngjarja është raportuar nga Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh, ku bëhet e ditur se incidenti ndodhi rreth orës 19:45. Sipas informacioneve zyrtare, përleshja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes katër të miturve, të gjithë meshkuj dhe shtetas të Kosovës.
“Raportohet se pas një mosmarrëveshje katër të dyshuar, të mitur meshkuj kosovarë janë rrahur mes veti, ku njëri nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore nga therja me thikë. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Pas intervenimit të policisë dhe procedurave të ndjekura, njëri nga të dyshuarit është ndaluar me vendim të prokurorit, ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me gjendjen e të lënduarit apo motivin e saktë të përleshjes, por hetimet janë në vazhdim.