Për herë të 54-të dështon konstituimi i Kuvendit – vendimi i Kushtetueses ndalon veprimet e deputetëve nga 27 korriku
Për herë të 54-të me radhë, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk arritën ta konstituojnë legjislaturën e re, duke e lënë vendin në një ngërç të zgjatur institucional.
Foto: Ilustrim
Në seancën e fundit, të mbajtur sot, ishin të pranishëm 103 deputetë, por vetëm 56 prej tyre votuan për, ndërsa nuk pati asnjë abstenim. Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë, procesi edhe këtë herë nuk rezultoi me sukses.
Kjo tentativë ishte e fundit përpara se të skadojë afati kushtetues 30-ditor, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Me përfundimin e këtij afati më 26 korrik, Gjykata ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim dhe vendim të deputetëve të zgjedhur duke filluar nga data 27 korrik 2025.
“Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore… dhe ndalimi i çdo vendimi pas 26 korrikut është në interes publik”, thuhet në vendimin e publikuar nga Kushtetuesja.
Me këtë vendim, zhvillimet politike në vend hyjnë në një fazë të re paqartësie, ndërkohë që qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë presin me shqetësim një zgjidhje të qëndrueshme për krizën institucionale.