PE-ja debaton për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka akuzuar Serbinë se po vepron sipas një skenari rus në rajon dhe se sulmet e fundit në veri të Kosovës janë pjesë e këtij plani. Këto akuza i bëri ajo gjatë një debati në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, më 2 dhjetor.
Debati u fokusua kryesisht në sulmin terrorist që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Kryetari i komisionit, David McAllister, shprehu shqetësimin e thellë të Parlamentit Evropian për këto akte që, sipas tij, e destabilizojnë Kosovën.
Gërvalla, duke iu referuar sulmit në Zubin Potok dhe sulmit më të hershëm në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një polic i Kosovës, tha se këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të destabilizuar rajonin. “Kjo nuk është një tension etnik, asnjë mospajtim mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që po ndodh është përshkallëzim që ndodh për shumë vite. Ky është një test për të parë sesa mund të pranojë Perëndimi”, u shpreh ajo.
Ministrja kosovare akuzoi drejtpërdrejt Serbinë dhe Rusinë për përfshirje në këto sulme, duke theksuar se Serbia po kopjon strategjitë e Rusisë në Ukrainë. Ajo shtoi se sulmi në Zubin Potok është organizuar nga i njëjti person që organizoi sulmin në Banjskë, duke iu referuar Millan Radoiçiqit.
Gërvalla kërkoi nga Bashkimi Evropian të ndërmarrë masa më të forta për të ndalur veprimet destabilizuese të Serbisë dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Reagimet e deputetëve të PE-së
Ndërsa disa deputetë të Parlamentit Evropian shprehën solidaritet me Kosovën, të tjerë kërkuan më shumë prova për të mbështetur akuzat e Gërvallës. Ata theksuan rëndësinë e një hetimi të plotë dhe transparent për të zbuluar të vërtetën rreth këtyre sulmeve.