Pas votimit për pezullim të grevës, BSPK thërret konferencë të jashtëzakonshme

01.10.2022

Gjatë këtyre dy ditëve të fundit u organizua një votim nga kryesia e SBASHK-ut që anëtarësia e saj të votojë pro apo kundër pezullimit të grevës, grevë kjo e nisur nga 25 gushti. Sipas një komunikate të publikuar dje nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) bëhej e ditur se 54.8% e […]

Pas votimit për pezullim të grevës, BSPK thërret konferencë të jashtëzakonshme Foto: Ilustrim

Gjatë këtyre dy ditëve të fundit u organizua një votim nga kryesia e SBASHK-ut që anëtarësia e saj të votojë pro apo kundër pezullimit të grevës, grevë kjo e nisur nga 25 gushti.

Sipas një komunikate të publikuar dje nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) bëhej e ditur se 54.8% e mësimdhënësve kanë votuar pro ndaljes së grevës.

Lidhur me këtë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do të mbajë sot konferencë të jashtëzakonshme për media.

Në njoftimin e BSPK-së, është bërë e ditur se kjo konferencë do të mbahet me fillim nga ora 14:00 në Sallën “1 Tetori”.

 “Ju informojmë se BSPK sot, e shtunë, më 1 tetor 2022 në orën 14:00 në Qendrën e Studentëve Salla “1 Tetori” mban Konferencën e jashtëzakonshme për medie”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime tê lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%.

Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës (më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88%, ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.