Parandalohet kontrabanda në Aeroportin e Prishtinës, një shtetase e huaj kapet me 100 steka cigare

22.06.2025

Një rast i kontrabandës me produkte të akcizës është parandaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga zyrtarët doganorë të Kosovës.

Gjatë kontrolleve të rregullta, një shtetase e huaj është kapur duke transportuar në mënyrë të paligjshme 100 steka cigare me banderola të Shqipërisë, të fshehura në dy bagazhe personale.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se malli i kontrabanduar është konfiskuar dhe plumbuar sipas procedurave ligjore dhe është vendosur në depo për trajtim të mëtejmë brenda procedurave të kundërvajtjes.

Ndaj të dyshuarës janë inicuar veprimet përkatëse ligjore dhe rasti tashmë është në trajtim nga autoritetet kompetente.

Në njoftimin zyrtar, Dogana e Kosovës ka theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbrojtjen e interesit shtetëror, forcimin e kontrolleve kufitare dhe parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme që dëmton ekonominë dhe sigurinë publike.