Parandalohet futja e mallrave të padeklaruara në Aeroportin e Prishtinës, vlera mbi 11 mijë euro
Dogana e Kosovës ka ndaluar një tentim për import të mallrave të padeklaruara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, gjatë një kontrolli të rregullt që zhvillohet në këtë pikë hyrëse të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitet doganore kanë identifikuar një sasi prej 15 pajisjesh elektronike të tipit Indoor LED Display, me një vlerë të përgjithshme prej 11,370.00 euro. Këto mallra dyshohet se janë tentuar të futen në territorin e Kosovës pa përmbushur detyrimet dhe procedurat e rregullta doganore.
Autoritetet doganore kanë ndërmarrë masat përkatëse, duke konfiskuar mallin dhe duke proceduar rastin në sektorin për kundërvajtje doganore, me qëllim të trajtimit të mëtejshëm ligjor.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe parregullsive doganore, si dhe në ruajtjen e sigurisë ekonomike të vendit. Ajo apelon për respektim të rregullave ligjore nga të gjithë qytetarët dhe bizneset që operojnë me import dhe eksport mallrash.