Pandemia zbeh gjasat për liberalizim të vizave për kosovarët

Kanë kaluar shumë vite, që kur politikanët kosovarë premtuan liberalizimin e vizave për qytetarët, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Dista shtete evropian, në mesin e tyre Franca dhe Holanda, mendojnë se ende nuk është momenti për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shala ka thënë se liberalizimi i vizave për vendet e treta është e paimagjinueshme, në kohën kur Gjermania është duke rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë për shkak të pandemisë.

Në Këshillin e Bashkimit Evropian, kanë thënë se shumica e vendeve anëtare pajtohen me vlerësimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Por, sipas burimeve diplomatike, Franca dhe Holanda, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovën, thirren në mungesën e dëshmive të mjaftueshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.

Ato mendojnë se Komisioni në raportin për Kosovën, ka bërë vlerësimin “në mënyrë tepër formale”, por këto shtete, siç kanë thënë burimet diplomatike, duan më shumë dëshmi “përfshirë edhe përmes verdikteve finale të gjykatave” për dënimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera të korrupsionit, si dhe dëshmi për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Në rastin e Francës, disa burime në Bruksel thonë se ekziston edhe frika nga rritja e numrit të azilkërkuesve nga Kosova, në rast të heqjes së vizave.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha shprehet tejet skeptik se gjatë vitit 2021 do të ketë lëvizje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave. Në këtë, sipas tij, ndikon edhe mjedisi politik i krijuar pas pandemisë së koronavirusit.

“Disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mendojnë se Kosova nuk ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, respektivisht në luftë kundër korrupsionit të niveli të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga vendosja e këtij kriteri para pesë vjetësh, Kosova ende ka zero raste të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.

Shasha tha se edhe gjatë votimit të Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën më 23 shkurt, është vërejtur se kishte kundërshtime dhe se eurodeputetët nga radhët e partisë së presidentit francez, Emmanuel Macron, “kundërshtuan çfarëdo gjuhe që do vlerësonte se Kosova ka përmbushur kriteret dhe çfarëdo gjuhe që bënte thirrje për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Raporti për Kosovën, i miratuar të martën, më 23 shkurt, në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian ka vërejtje se në Kosovë rastet kryesore gjyqësore kanë shkuar tepër ngadalë dhe shpesh dënimet, nëse kanë ardhur, kanë qenë të buta.

Por, shumica e vendeve anëtare të BE-së janë të mendimit se Kosova duhet ta fitojë liberalizimin sepse dukuria e korrupsionit dhe krimit të organizuar është e pranishme edhe në vende tjera që tashmë kanë liberalizim. Po ashtu, me mosliberalizimin e vizave, po vlerësohet se po dënohem më shumë qytetarët sesa ata që vërtetë janë përgjegjës për situatën e krijuar./RadioEvropaLirë/

RAPORTO