Osmani sot dërgon komentet për konstituimin e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do t’i dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese komentet e saj lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Lajmin e ka konfirmuar këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, i cili theksoi se Osmani gjithmonë ka pasur qëndrim të qartë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën të bllokojë institucionet dhe, si pasojë, funksionimin e shtetit.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator”, ka thënë Kupina për RTKlive.
Ai shtoi se qëllimi kryesor i këtij procesi është të mos bllokohet krijimi i institucioneve, duke përkujtuar se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për funksionimin demokratik të vendit.
“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, ka deklaruar Kupina.