OEK kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për bizneset: Do falimentonin shumë kompani
Ky propozim i ZRRE-së për shtrenjtim të tarifave të rrymës ka ngjallur pakënaqësi të shumta tek qytetarët, madje javën e kaluar u organizua edhe protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Po ashtu, janë dërguar shumë komente në drejtim të ZRRE-së lidhur me propozimin e kësaj të fundit, ku komente kishte dërguar edhe Shoqata e Mullisëve […]
Ky propozim i ZRRE-së për shtrenjtim të tarifave të rrymës ka ngjallur pakënaqësi të shumta tek qytetarët, madje javën e kaluar u organizua edhe protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Po ashtu, janë dërguar shumë komente në drejtim të ZRRE-së lidhur me propozimin e kësaj të fundit, ku komente kishte dërguar edhe Shoqata e Mullisëve të Kosovës, ku këta janë shprehur se nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, atëherë do të rritet edhe çmimi i bukës.
Me propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të tarifave të rrymës nuk preken bizneset, por vetëm shtëpitë private, pra ekonomitë familjare, ndërkaq komuniteti i biznesit po kundërshton çdo ide që barrën e shtrenjtimit të energjisë elektrike ta mbajnë ata.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) janë shprehur fuqishëm kundër propozimit të Ministrisë së Financave, kështu duke thënë se shtrenjtimi do të ketë pasoja të pariparueshme.
Kreu i OEK, Berat Rukiqi, thotë se me rritjen e tarifave për ta, shumë biznese do të kishin fatin e “Ferronikelit”.
OEK nuk ka dërguar asnjë koment në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për strukturën e re të tarifave të energjisë, por Rukiqi tërheq vërejtjen se nëse ZRrE-ja merr vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike për bizneset, kjo do ta rendonte tej mase veprimtarinë e tyre.
Rukiqi deklaroi se në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë shtrenjtim të energjisë elektrike, pasi një gjë e tillë, sipas tij, do të çonte shumë biznese drejt falimentimit.
“Jo, absolutisht dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm nëse ka rritje të çmimit të rrymës për bizneset. Një pjesë e mirë e bizneseve nuk do të kenë rrugëdalje përveç mbylljes nëse ndodhë rritja me bllok tarifa. Ne kemi luftuar shumë për të larguar bllok tarifën për bizneset, atëherë kur është larguar, pasi që ka qenë e dëmshme për konkurreshmërinë e bizneseve.
Dhe krijimi i bllok tarifës për bizneset është vendim që shumë biznese do t’i dërgonte drejt mbylljes. Por, fatmirësisht me propozimin e ZRrE-së nuk është paraparë rritje e tarifës për bizneset”, thekson ai për KosovaPress.