Inflacioni 7.5%, ekonomistët kërkojnë masa urgjente për mbrojtjen e qytetarëve
Rritja e vazhdueshme e inflacionit në Kosovë po rëndon gjithnjë e më shumë buxhetin e familjeve dhe po vështirëson funksionimin e bizneseve, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se niveli i inflacionit prej 7.5 për qind, i regjistruar gjatë vitit 2026, është alarmues dhe po kalon në hije për shkak të krizës politike dhe debateve për pushtet. Ai ka theksuar se raportet e institucioneve ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime edhe për korrupsionin, punësimet politike dhe lirinë e mediave, duke kërkuar stabilitet politik dhe fokus më të madh në zhvillimin ekonomik.
Në të njëjtën linjë, eksperti i ekonomisë Ismet Mulaj ka deklaruar se rritja e çmimeve po e ul fuqinë blerëse të qytetarëve, të cilët po detyrohen të kufizojnë shpenzimet dhe investimet. Sipas tij, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe te bizneset, të cilat përballen me rënie të konsumit dhe mungesë investimesh.
Mulaj ka theksuar se një pjesë e konsiderueshme e investimeve të kosovarëve po orientohen jashtë vendit, duke përmendur se qindra milionë euro janë investuar në Shqipëri. Ai ka bërë thirrje që Kosova të fokusohet në projekte të mëdha zhvillimore që do të nxisnin investimet dhe rritjen ekonomike.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në prill 2026 arriti në 7.5 për qind, niveli më i lartë në tri vitet e fundit, ndërsa në maj u regjistrua në 6.8 për qind. Këto shifra mbeten dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, e cila llogaritet rreth 3.2 për qind.
