Oda Ekonomike: Rritja e pagave në Kosovë është gëlltitur kryesisht nga inflacioni
Pagat mesatare në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë periudhës 2019–2025, por kjo rritje nuk është reflektuar në të njëjtën masë në fuqinë blerëse të qytetarëve.
Kështu thuhet në analizën e fundit të Odës Ekonomike të Kosovës, e cila bazohet në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.Sipas analizës, rritja e pagave ka qenë kryesisht reagim ndaj inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, ndërsa përmirësimi real i mirëqenies ekonomike ka qenë dukshëm më i vogël.
Të dhënat tregojnë se mbi dy të tretat e rritjes së pagave janë absorbuar nga rritja e çmimeve, duke kufizuar ndikimin pozitiv në standardin e jetesës.
Analiza evidenton gjithashtu dallimet mes sektorëve, ku sektori publik dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të ofrojnë paga mesatare më të larta krahasuar me sektorin privat.
Në nivel rajonal, Kosova mbetet vendi me pagat mesatare më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, duke reflektuar sfidat e vazhdueshme të tregut të punës dhe nevojën për politika që nxisin rritjen ekonomike dhe përmirësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve.
Oda Ekonomike thekson se analiza synon të ofrojë një pasqyrë të qartë mbi trendet e pagave, ndikimin e inflacionit dhe sfidat që lidhen me konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës.
