Një vit përballje me COVID-19, Zemaj: Në periudhën mars-maj priten mbi 100 mijë vaksina nga COVAX

13.03.2021

Më 13 mars të vitit 2020 u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë, një 20 vjeçare që ishte shtetase italiane dhe një 77 vjeçar nga Stublla e Vitisë. Dy ditë më vonë, më 15 mars, Qeveria e Kosovës – që në atë kohë drejtohej nga Albin Kurti, shpalli Gjendjen Emergjente të Shëndetit […]

Një vit përballje me COVID-19, Zemaj: Në periudhën mars-maj priten mbi 100 mijë vaksina nga COVAX Foto: Ilustrim

Më 13 mars të vitit 2020 u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë, një 20 vjeçare që ishte shtetase italiane dhe një 77 vjeçar nga Stublla e Vitisë.

Dy ditë më vonë, më 15 mars, Qeveria e Kosovës – që në atë kohë drejtohej nga Albin Kurti, shpalli Gjendjen Emergjente të Shëndetit Publik.

Ndërsa, me 22 mars të vitit paraprakë, u regjistrua viktima e parë nga ky virus.

Një vit që nga konfirmimi i rasteve të para, numri i përgjithshëm i të prekurve nga ky virus ka rritur në 76 mijë e 688 raste pozitive, janë shëruar 64 mijë e 362 persona derisa kanë humbur jetën 1 mijë e 696 pacientë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur për Klan Kosovën, ku ka thënë se Kosova ka qenë dhe mbetet shembull se si menaxhohet pandemia.

Zemaj ka thënë se sigurimi i vaksinës kundër COVID-19 ka qenë angazhimi i tyre i plotë, ku edhe ka shtuar se në periudhën mars-maj, COVAX ka njoftuar se do të shpërndahen për Kosovën 100 800 vaksina, por se Qeveria në detyrë do të vazhdojë tutje me partneritetet tjera, me shtetet mike, me Pfizer dhe prodhues të tjerë të vaksinave për të siguruar sa më shumë vaksina anti-COVID.