Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në rastin e vrasjes së imamit në Dragash
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, B.H. dhe I.H., të dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, lidhur me vrasjen që ndodhi më 29 qershor në fshatin Zlipotok të Dragashit.
Sipas njoftimit të gjykatës, B.H. dyshohet se rreth orës 23:00, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme për shfrytëzimin e një prone, e ka goditur me thikë viktimën G.T., duke i shkaktuar lëndime fatale, si pasojë e të cilave ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, I.H., babai i të dyshuarit kryesor, dyshohet se nuk i ka ofruar ndihmë viktimës, megjithëse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi ta bënte këtë pa rrezikuar veten apo të tjerët.
Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprave penale dhe se paraburgimi është i domosdoshëm për të siguruar praninë e të pandehurve, zhvillimin normal të hetimeve dhe për të shmangur rrezikun e arratisjes. Sipas gjykatës, masat alternative nuk do të ishin të mjaftueshme në këtë fazë të procedurës.
Gjykata theksoi gjithashtu se faktet dhe përgjegjësia penale e të pandehurve do të vlerësohen gjatë fazave të mëtejme të procedurës penale.
