Paraburgim për dy të dyshuarit për vrasjen në Kobaj të Prizrenit, dyshohet se nëna i ka shtyrë drejt veprës
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj të pandehurit Sh. O. ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, ndërsa ndaj të dyshuarës A. O. për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.
Masa e paraburgimit është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 14 korrik 2026.Sipas dyshimeve të paraqitura në vendimin e gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 14 qershor 2026 në fshatin Kobaj, ku Sh. O. dhe një i mitur dyshohet se, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën A. O., si dhe kanë plagosur rëndë personin I. O., i cili është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Gjykata ka bërë të ditur se dyshohet që pas një konflikti të mëhershëm, fillimisht verbal e më pas fizik, të dyshuarit kanë përdorur mjete të mprehta – thika, duke sulmuar viktimat. Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, njëri nga të dëmtuarit ka ndërruar jetë.
Në vendimin për paraburgim thuhet se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë në dëshmitarë dhe prova, si dhe të pengojnë zhvillimin e rregullt të procedurës penale.Gjykata ka theksuar se këto janë dyshime fillestare dhe se përgjegjësia penale e të pandehurve do të vlerësohet gjatë fazave të mëtejme të procedurës.
Ndërkohë, për të miturin A. O., i dyshuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Departamenti për të Mitur ka caktuar më herët masën e paraburgimit prej një muaji.
