“Festo me zemër, jo me armë” – Policia sekuestron 7 armë në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit ka sekuestruar shtatë armë zjarri gjatë javës së fundit, në kuadër të aksioneve për parandalimin e përdorimit të armëve në ahengje dhe posedimit të tyre pa autorizim.
Foto: Ilustrim
Sipas Policisë, në katër raste të ndara në Prizren, Suharekë dhe Dragash janë sekuestruar gjashtë pistoleta dhe një armë automatike AK-47. Pjesa më e madhe e rasteve lidhet me të shtëna festive gjatë gazmendeve familjare, ndërsa disa armë janë gjetur edhe gjatë kontrolleve të befasishme.
Policia thotë se në reagimin ndaj këtyre rasteve ka ndihmuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve, të cilët kanë raportuar të shtënat përmes telefonit, duke mundësuar ndërhyrjen e shpejtë të njësive policore.
Të dyshuarit në rastet e të shtënave festive janë ndaluar për 48 orë me aktvendim të prokurorit, ndërsa ndaj personave që kanë poseduar armë pa leje janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve gjatë festimeve, duke theksuar mesazhin: “Festo me zemër, jo me armë.”
