Një i vdekur dhe dhjetëra të lënduar në aksidentet e 24 orëve të fundit

24.11.2025

Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë në vend. Një nga mënyrat më të zakonshme që Policia e Kosovës përdor për parandalimin e këtyre rasteve është gjobitja e shoferëve që shkelin rregullat e trafikut.

Sipas raportit të fundit 24-orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa 22 aksidente të tjera kanë përfunduar me persona të lënduar. Përveç këtyre, 21 aksidente janë regjistruar vetëm me dëme materiale.

Në kuadër të aktiviteteve operative dhe monitorimit të trafikut, policia ka shqiptuar gjithsej 1,752 tiketa ndaj pjesëmarrësve në komunikacion që kanë shkelur rregullat.

Sa i përket veprimeve policore, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 18 persona, nga të cilët 13 janë dërguar në mbajtje, ndërsa nuk ka pasur ndalime shtesë apo persona të ndaluar për vuajtje dënimi.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik, duke rikujtuar se zbatimi i rregullave rrugore është thelbësor për ruajtjen e jetës dhe parandalimin e aksidenteve të rënda.