Ngjarja tragjike në Prizren, Haradinaj shkon për ngushëllim në Policinë e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, bashkë me një pjesë të kabinetit, sot vizitoi Policinë e Kosovës, një ditë pasi një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra në Zhur të Prizrenit, në krye të detyrës.

Haradinaj tha se është për keqardhje dhe shumë e rëndë që në krye të detyrës po humbin jetë pjesëtarë të Policisë tonë, ata që janë mburoja e sigurisë së vendit.

Po ashtu ai tha se përgjegjësit duhet ta marrin dënimin e merituar.

“Sot, bashkë me një pjesë të kabinetit, për vizitë ngushëlluese në Policinë e Kosovës, për humbjen e pjesëtarit të tyre, Sami Thaçi, që me përgjegjësi të lartë, bashkë me dy kolegët e tjerë të lënduar rëndë, po e kryenin misionin e tyre gjatë një aksioni antidrogë në Zhur të Prizrenit.
Është për keqardhje dhe shumë e rëndë që në krye të detyrës po humbin jetë pjesëtarë të Policisë tonë, ata që janë mburoja e sigurisë së vendit. Përgjegjësit duhet ta marrin dënimin e merituar. RH”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, Policia e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë të ditur se sot, do të bëhet varrimi i policit Sami Thaçi, i cili vdiq si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në Zhur, në momentin kur policia po kryente bastisje.

Ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 15:00 në Shkarashnik të Malishevës.