Nënë e bijë rrihen mes vete, intervenon policia
Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të pazakontë të dhunës familjare të ndodhur në Podujevë, më 21 nëntor 2025, rreth orës 11:40, ku janë arrestuar dy të dyshuara, nënë dhe vajzë e saj e mitur.
Sipas njoftimit zyrtar, pas një fjalosjeje mes veti, situata ka eskaluar në konfrontim fizik, duke bërë që Policia të ndërhyjë dhe të arrestojë të dyja personat e përfshirë.
E mitura e përfshirë në incident ka marrë trajtim mjekësor pas ngjarjes. Ndërkohë, pas konsultimit me prokurorin dhe intervistimit të palëve, Policia ka bërë të ditur se të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.
Policia ka theksuar rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të kërkojnë ndihmë në kohë për të parandaluar eskalimin e situatave të tilla.